A review by veessa
Gjenerali i ushtrisë së vdekur by Ismail Kadare

4.0

Sapo filloj të mendoj se di shumë gjëra për vendin dhe popullin tim, lexoj një tjetër libër të Kadaresë dhe e shoh që vërtet nuk di asgjë. Ky libër, sic e sugjeron edhe titulli, flet për një ushtri të huaj pushtuese, trupat e të cilës prehen në fushat e malet e Shqipërisë. Misioni ‘fisnik’ i personazhit kryesor të romanit –gjeneralit, emrin e të cilit nuk e kuptojmë kurrë- është t’i kthejë eshtrat e ushtarëve në shtëpitë e tyre. Megjithatë, a duan shpirtrat, të zotët e eshtrave, të kthehen në shtëpi si një ushtri gjysmake, të ndarë nga njëri tjetri, apo të prehen së bashku në tokën e huaj ku ranë për atdheun, derisa mundoheshin t’ua sillnin shqiptarëve qytetërimin?
Mënyra se si rrëfehet ngjarja të bën të ndjesh keqardhje për gjeneralin, jo vetëm se iu ngarkua një detyrë e pamundshme dhe absurde, por edhe se ai, njejtë si të gjithë pjesëtarët e ushtrive pushtuese, nga njëra anë e përbuz popullin shqiptar e nga ana tjetër ua ka frikën edhe atyre edhe tokës në të cilën ata jetojnë.
Për më shumë, përshkrimi i peizazheve është i mrekullueshëm. Gjithcka që rrëfehet në roman mund të tingëllojë e ekzagjëruar deri sa ta kesh me të vërtetë parasysh relievin shqiptar, që varësisht nga rrethanat e vizitës, të bën të ndihesh si në shtëpinë tënde ose në fakt të tmerron dhe të bën të kuptosh që je i padëshiruar.
Nuk mund ta krahasoj Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur me veprat e tjera të autorit, ato secila e kanë vendin e vet dhe i kanë elementet e vecanta që i bëjnë ato të pazëvendësueshme.